DOKUFEST XXII: UNË JAM IA A JAM

DokuFest shpalos temën dhe identitetin vizual të edicionit të 22-të. 20 July, 2023

20 July, 2023

Tema e këtij viti të DokuFest, do të jetë pikërisht marrëdhënia mes njeriut dhe inteligjencës artificiale. Duke marrë shkas edhe prej temës së vitit të shkuar, ku në qendër kishim vëzhgime dhe pikëpyetje eksiztenciale mbi njerëzimin në krizë, këtë vit festivali rikthehet me nje tjetër dilemë globale, që na nxit të eksplorojmë dhe mundohemi të kuptojmë ndikimin dhe pasojat e këtij zhvillimi teknologjik, në të ardhmen tonë.

Vetëdija njerëzore, është një trashëgimi e paprekshme për universin dhe procesin evolutiv që njohim, e kanosur për zhdukje, jo domosdoshmërisht për shkak se inteligjenca artificiale mund të pretendojë të kontrollojë botën, sesa prej krizave klimatike të shkaktuara nga inteligjenca njerëzore, e shumëzuar së bashku. "I AM AI AM I" është një shtysë për të na nxitur të kuptojmë natyrën themelore të inteligjencës artificiale, përballë ekzistencës njerëzore. A do të mundet që AI të shprehë ekzistencën vetjake dhe të zhvillohet si një inteligjencë e re dhe e ndarë nga ajo njerëzore? Nëse AI është një arkivë, a do të jetë në gjendje të na udhëzojë mbi vlerat që e formësojnë identitetin tonë njerëzor?

Përmes, filmave të cilët në një mënyrë a tjetër trajtojnë tematika të lidhura me inteligjencën artificiale, filmit hapës e mbyllës, një dite plotë të programit dedikuar AI dhe zhvillimit të identitetit pamor dhe fushatës së punuar pjesërisht me ndihmen e AI dhe ChatGPT, festivali synon dhe fton në zhvillimin e debatit në lidhje me një temë të gjërë aktuale sa i përket marrëdhënies së njerëzores me teknologjinë.

Identiteti pamor i fushatës është zhvilluar nga Ali Cindoruk i Zyrës Khora. Gjeagjëza e koduar "I AM AI AM I" është një ndërveprim simetrik midis një shprehjeje ekzistenciale letrare dhe natyrës binare të habitatit llogaritës të AI, që të dyja janë krijime njerëzore të bazuara në gjuhë. Fjalori pamor i modeleve me shumë shtresa të bazuara në glifet dhe karakteret alfanumerike i jep thellësi historike dhe futuristike dizajnit, në emër të mjeteve të hershme grafike të llogaritjes dhe një morie mundësish që ka e ardhmja e AI.

Ndani mendimet tuaja